Talenti i Shqipërisë i lë pa fjalë të gjithë në Kroaci, 120 minuta në Europë, lider dhe shumë shpresë mbi Adrion Pajazitin

Adrion Pajaziti është një prej talenteve të dalë nga shkolla angleze e futbollit. Futbollisti shqiptar ishte pjesë e moshave të Fulham dhe luajti disa miqësore me ekipin e parë, ndërsa më pas u huazua te Gorica.
Një ekip që militonte në elitën e Kroacisë, por në vendet e fundit. Atje Pajaziti shkëlqeu dhe u shndërrua në lojtarin kryesor, ndërsa më pas zgjodhi që të kalonte te Hajduku. Një ekip me profil tjetër në Kroaci pasi Hajduku i Splitit lufton për titullin kampion dhe doli në zonën europiane.

Në fillim tifozët ishin skeptik dhe kundër transferimit të shqiptarit pasi vinte nga vendet e fundit të Kroacisë. Por mjaftoi vetëm një ndeshje zyrtare dhe gjithçka ndryshoi. Ishte ndeshja e parë në Conference League Zira-Hajduk. Pjesa e parë u mbyll 1-0, Pajaziti u hodh në minutën e 46 dhe gjithë loja e Hajdukut ndryshoi. Në fund Hajduku barazoi 1-1 dhe të gjithë u habitën kur mesfushori 22-vjeçar mori frenat e lojës në dorë.

Në ndeshjen e kthimit, Hajduku i Splitit e kaloi turin në shtesë, pas 120 minutave, duke mundur 2-1 Ziran. Këtë herë Pajaziti u hodh në fushë nga minuta e parë dhe ishte i vetmi mesfushor që nuk doli nga fusha, por luajti për 120 minuta. Shqiptari ishte më i miri i takimit dhe vlerësimet për të kanë qenë të pafundme mes tifozëve të Hajduk Splitit. Problemi qëndron në faktin se në turin e tretë të Conference League, Hajduku do të përballet me Dinamon dhe rreziku i vetëm i madh për Ilir Dajën do të kalojë pikërisht nga këmbët e një shqiptari, Pajaziti është lideri i lojës së Hajduk Splitit. /Sport Ekspres/