“Bota tashmë do ta njohi Alen Sherrin, një portier shqiptar 27-vjeçar i cili luajti vetëm shtatë ndeshje për Cagliarin këtë sezon dhe bëri gjithcka që kishte mundësi për të prishur titullin e Napolit. Ai shpëtoi gjithçka që mund të shpëtonte në 50 minuta loje”, ky ishte vetëm një nga komentet më pikante që erdhën në Tëitter për gardianin shqiptar. Alen Sherri ka qenë deri vonë pjesë e Egnatias në Superiore, më pas kaloi direkt në Serinë A, pa përdorur asnjë trampolinë, menjëherë pjesë e Cagliarit.
Kur fati i erdhi në dorë për të luajtur titullar, Sherri nuk e përdori dot, nuk e shfrytëzoi. Nuk bënte gabime të mëdha në ato ndeshje të aktivizuara, por as ndonjë mrekulli, diçka më shumë. Të luash në Serinë A nuk do të thotë të bësh gjëra të thjeshta, normale, por kërkohet diçka më shumë se kaq dhe në ato pak ndeshje që Sherri luajti te Cagliari, nuk e tregoi këtë gjë.
Kështu Cagliari hyri në merkato për të marrë një tjetër portier, Caprile, i cili ka bërë paraqitje shumë të mira. Por në ndeshjen e fundit, te Cagliari vendosën që të ishte Sherri portieri titullar, në ndeshjen kundër Napolit. Sherri për një moment e pa veten nga një rezervë e Cagliarit, në një lojtar që e gjithë Italia ishte me vëmendjen tek ai.
Kjo pasi tifozët e Interit filluan të qeshnin dhe të dyshonin sesi Cagliari po hapte portën duke futur lojtarët e stolit, mes tyre duke hequr portierin Caprile dhe duke aktivizuar Sherrin, i cili kishte shumë muaj pa e parë fushën. Në disa media doli edhe lajmi se Caprile kishte një dëmtim muskulor, por kjo nuk mund të besohej kaq lehtë në ndeshjen e fundit kundër Napolit.
Dhe në një moment Alen Sherri u zgjua dhe vendosi të mos ishte një njeri normal, një portier normal, por të bënte diçka më shumë. Portieri shqiptar bëri disa pritje të pabesueshme në pjesën e parë kundër Napolit, në një stadium të stërmbushur për festë dhe ku ishin vetëm 10 tifozë të Cagliarit, ndërsa pritjet e tij të pabesueshme lanë gojëhapur tifozët italianë që në rrjetet sociale reaguan në Tëitter mes buzëqeshjes duke thënë se te Cagliari ekziston një Buffon.
Dhe në mediat italiane Sherri u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes te Cagliari, madje duke thënë se për një moment i krijoi Napolit një ide që skenari më i keq mund të merrte jetë, ai i humbjes së titullit kampion. Në fund Napoli fitoi 2-0 dhe fitoi titullin kampion duke hequr pengesën Sherri, por me një paraqitje të tillë, në një 90 minutësh të tillë, Sherri ka fituar një besim te Cagliari ose një transferim, që nuk e kishte para ndeshjes me Napolin. U kthye në hero atëherë kur duhej, në momentin kur e gjithë Italia ishte me sytë tek ai. /Sport Ekspres/