Simon Simoni ka shkruar historinë në futbollin shqiptar, pavarësisht se është vetëm 19-vjeç. Ky portier bëri transferimin më të madh teksa kaloi nga Dinamo që gjendej në Kategorinë e Parë në Shqipëri, te Frankfurti që ishte në Bundesligë dhe atë sezon kishte fituar Europa League. Në fillim talenti shqiptar iu bashkua stërvitjes së ekipit të parë, ndërsa tani është katapultuar si titullar te Frankfurti U-21. Këtë herë Simoni ishte i ftuar në emisionin “Koha Shtesë” ku ka dhënë një rrëfim shumë të bukur në lidhje me karrierën e tij dhe njëkohësisht Kombëtaren. (Intervistën e plot të Simon Simoni në Koha Shtesë e gjeni duke klikuar në videon më poshtë)
“Askush nuk do ta besonte transferimin tim nga Dinamo te Frankfurti, madje as unë vet nuk e besova. Ishte një ëndërr për mua pasi Frankfurti atë vit fitoi edhe Europa League. Nuk arrita ta besoja, madje mbaj mend që i kam thënë me shaka menaxherit kur më tha për interesimin e Frankfurtit. “Jo, nuk e pranoj, dua vetëm Real Madrid”. I thashë kështu pasi mu duk e pabesueshme që Frankfurt të më dëshironte nga Dinamo.
Këtu jam duke u stërvitur nga një trajner profesionist që është si një shkollë futbolli për mua. Jam duke u rritur, kam përmirësuar edhe shumë anë që i kisha mangësi kur erdha në fillim te Frankfurti. Po më thonë shumë fjalë të mira, kam vlerësime dhe dua që të vazhdoj të punoj. Më para nuk e merrja Frankfurtin të jem i sinqertë kur luaja Play Station, se unë luaj shumë Play Station, por tani jo vetëm që e marr gjithmonë, por fus edhe veten portier”, tha me të qeshur Simoni. /Sport Ekspres/