“Tani mund të bëj dhe gabime”, Asllani flet pas debutimit me Torinon: Trajneri më donte vërtetë, më mungonte të luaja titullar që në javën e dytë

Kristjan Asllani debutoi sot me fanellën e Torinos. Mesfushori shqiptar ishte titullar që në javën e dytë të Serisë A, diçka që siç edhe ai vetë u shpreh pas ndeshjes kundër Fiorentinës, i mungonte prej kohësh. Në intervistën e dhënë pas takimit për “Sky Sports”, Asllani ka thënë se trajneri Baroni ishte ai që e kërkoi te Torinoja dhe se do të përpiqet t’ja shpërblejë besimin në fushën e lojës. Ai gjithashtu ka hequr barrën e rëndë që mbartte fanella e Interit, teksa është shprehur se tashmë mund të bëjë edhe gabime në fushë.

“Mezi prisja të luaja me këtë fanellë. Trajneri më donte vërtetë dhe e falënderoj. Do të përpiqem t’ua shpërblej në çdo mënyrë. Sot ishim një ekip, që nga fillimi deri në fund, duke luftuar. Mendoj se jemi një ekip i mirë, i aftë të ketë një sezon të shkëlqyer. Por duhet të luftojmë.

Jam i lumtur që jam këtu dhe ndihem gati për të luajtur. Të qenurit titullar në javën e dytë të kampionatit është diçka që më ka munguar. Interi, megjithatë, ka një ekip shumë të fortë. I falënderova të gjithë për ndihmën e tyre. Tani jam te Torinoja dhe duhet të marr përgjegjësi. Tani do të shkoj në ekipin kombëtar, pastaj do të kthehem të punoj më shumë.

Trajnerit i pëlqen futbolli sulmues, njësoj si mua, por pamë që Fiorentina kishte dy sulmues dhe ne luanim me lojtarë që mbulonin kundër tyre. Trajneri më pëlqen. Të luaja kundër Lazios vitin e kaluar ishte e vështirë, por tani me të mund të rritem, të mësoj dhe madje të bëj edhe gabime”, ka deklaruar Kristjan Asllani./Sport Ekspres/