Të gjithë janë gati për Serbinë! Nga Armando Broja te Nedim Bajrami dhe Myrto Uzuni, ja se çfarë po ndodh me Kombëtaren

Ndeshja me Serbinë po afron gjithmonë e më shumë, ndërsa ka vlerën e një finale për historinë e kualifikimit, pa përfshirë ngarkesën emocionale, politike dhe historike. Forma e lojtarëve ka ndryshuar te dy Kombëtaret nga ndeshja e fundit që u zhvillua në Tiranë dhe përfundoi në shifrat 0-0.

Kryesisht për Serbinë, që vuan mungesën e madhe të Milinkovic Savic që ka peshën e Gjimshitit në mbrojtjen e Shqipërisë, por nga ana tjetër ka edhe shpërthimin e disa lojtarëve. Në vendin e parë qëndron Vlahovic, që ka gjetur veten dhe ndodhet në momentin e tij më të mirë te Juventusi duke nuhatur gjithmonë topin dhe golin.

Nga ana tjetër edhe Pavlovic është bërë më i rrezikshëm në ndeshjet e fundit teksa me topin në zotërim del nga mbrojtja në portën kundërshtare, duke sjellë kështu golin e djeshëm të Milanit, por njëkohësisht edhe me Serbinë e rrezikoi disa herë Letoninë në këtë mënyrë në ndeshjen e fundit.

Ndërkohë nga Shqipëria, ka disa sinjale pozitive, disa shkëndija, por ende jo të konfirmuara. Nedim Bajrami ka luajtur për pak minuta në fitoren e djeshme të Rangers ndaj Livingston, por tregoi një impenjim maksimal, aftësi të larta teknike dhe një shpirt sakrifice për t’u admiruar që ngroh sadopak në këto ditë duke ditur luhatjen e tij të frikshme në performanca.

Arbër Hoxha ndodhet në formën e jetës te Dinamo Zagreb, ndërsa edhe Myrto Uzuni ka shpërthyer në MLS dhe me shumë gjasa do të vijë me një trofe historik të fituar në grumbullim, pasi Austin luan në finalen e Kupës ndaj Nashville në datën 2 tetor. Disa sinjale pozitive edhe për Armando Brojën që ndryshe nga ai takim në Air Albania, tani ka fituar më shumë ngarkesë fizike dhe ndeshjen e fundit Manchester City-Burnley, dukej totalisht i ndryshuar në ato 10 minuta. Psikologjikisht më i qetë, më i lumtur, hyri dhe gjeti menjëherë një rast goli dhe njëkohësisht ka marrë edhe mbështetjen e plot të trajnerit të Burnley.

Jasir Asani shënoi dy gola me Esteghal pak ditë më parë, ndërsa Mirlind Daku vazhdon në të njëjtën formë në Rusi. Nga krahu tjetër Anis Mehmeti është ylli i madh i Championship, por edhe nëse ftesa nuk do të mungojë për të, sërish shanset janë të pakta që ta nis si titullar kundër Serbisë. Pra shumë lojtarë në vijën e parë të sulmit janë duke dhënë disa shkëndija pozitive dhe do të kenë 1-2 ndeshje deri në momentin e grumbullimit nga Kombëtarja, si një kohë për të ndezur akoma më shumë motorrët përpara se të fillojë ndeshja e së vërtetës. /Sport Ekspres/