Të gjithë po vrapojnë pas futbollit, Superiorja tani ka tifozë “të veçantë” në tribuna

Politika e ka treguar gjithmonë se është aty ku është edhe vëmendja, në çfarëdo lloj fushe të jetës. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për Kombëtaren, Luizin, Laertin apo Superioren, me rëndësi është që ajo fushë të tërheq sadopak impakt për të treguar përkujdesje dhe prezencë apo qoftë edhe për të rrëmbyer pak vëmendje nga situata.

Nëse me skemën e re ndeshjet normale të kampionatit janë më pak të rëndësishme, kur vijnë javët e fundit dhe momenti i Final Four, Superiorja tërheq. Tërheq aq shumë sa tifozë që nuk i shohim shpesh në stadiume shfaqen aty, figura politike të cilat me siguri nuk e kanë parë kurrë një ndeshje të futbollit shqiptar.

Një 90 minutësh që me siguri për ta është “humbje kohe”, por për procedurë, duhet të jenë aty dhe të përtypin një sport të cilin nuk e kanë shumë pasion. Themi kështu pasi nëse do të ishte e kundërta, nuk duhet të prisnim kaq shumë vite për Ligjin e Sponsorizimit teksa vëllezërit tanë, Kosova, e formuar shumë më vonë si shtet, e ka bërë prej kohësh.

Sepse sporti është përkujdesje dhe dashuri e vazhdueshme, nuk ndiqet vetëm në fazën e tij të fundit. Sepse futbolli është flamuri i vetëm i Shqipërisë në arenën sportive dhe ka arritur deri aty, ku edhe politika nuk ka mundur dot, integrimi në familjen europiane, e ka bërë që në 2016 me Europianin e Francës dhe e përsëriti së fundmi me Europianin e Gjermanisë. Sigurisht, nuk është keq që figura politike të tilla të shohin një ndeshje, por të paktën supozohet që këto figura të ngrenë ngritur sadopak zërin dhe të kenë tentuar njëherë të vetme që të ketë një mbështetje më të madhe për futbollin shqiptar, që Qeveria të akordojë një fond dhe të mbështes më shumë futbollin në Shqipëri për sa kohë vetëm nëpërmjet futbollit ne arrijmë që të nxjerrim një fytyrë tjetër në Europë, të mos jemi ata shqiptarët e kronikës së zezë që bota do shumë që të na nxjerrë.

E parë në këtë këndvështrim, kjo prezencë pa bërë asgjë që situata e futbollit tonë të ndryshojë, pa bërë as edhe një përpjekje të vetme, nuk është asgjë më shumë sesa “Shoë”. Vecanërisht e ardhur pikërisht në këtë moment, në fazën e fundit ku vëmendja shtohet dhe mbi të gjitha, kur afron data e zgjedhjeve. Por futbolli e ka një të mirë, nuk përjashton askënd dhe të gjithë mund të jenë pjesë e saj, ndryshe nga politika shqiptare që e ka përjashtuar me kohë futbollin. /Sport Ekspres/