“Të indinjuar që një klub si Aston Villa justifikon rezultatin me situata të pavërteta”, Skënderbeu mohon akuzat e anglezëve: Ishin drejtuesit e tyre ata që na trajtuan me mosrespekt

KF Skënderbeu ka reaguar kundër vendimit të UEFA-s për të çelur një çështje disiplinore kundër tyre. Shkak është bërë pretendimi i klunit Aston Villa për thirrje raciste në sfidën e UEFA Youth League mes ekipeve respektive U19, e cila përfundoi në baraspeshë 1-1. Bardhekuqtë kanë mohuar kategorikisht akuzën e ngritur ndaj tyre dhe fton drejtuesit e klubit anglez që të publikojnë pamjet filmike të ndeshjes, për të cilën kishin të drejtën e transmetimit. Gjithashtu, kF Skënderbeu ka argumentuar përmes faqes zyrtare në “Facebook” se delegatët e takimit dhe arbitrat nuk kanë dëshmuar asnjë shkelje disiplinore në raportin e tyre.

“Klubi i Futbollit “Skënderbeu” është njohur sot me vendimin e UEFA-s për hapjen e çështjes disiplinore për korre raciste në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës për ndeshjen UEFA Youth League, Skënderbeu U19 – Aston Villa U19.

KF Skënderbeu mohon kategorikisht akuzat e ekipit Anglez duke vendosur në dukje se në asnjë moment nuk ka pasur thirrje raciste karshi asnjë lojtari si në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.

Ky Fakt është lehtësisht i verifikueshëm nga Raporti i Arbitrave dhe Delegatit të ndeshjes të cilët kanë deklaruar se nuk kanë qënë dëshmitar të asnjë thirrje raciste karshi ekipit kundërshtar.

KF Skënderbeu shpreh idinjatën për faktin se si një klub Profesionist si Aston Villa justifikon rezultatin e ndeshjes duke trilluar situata të paverteta të cilat nuk kanë lidhje me atë çka ndodhi në stadiumin “Skënderbeu”.

Inkurajojmë klubin e Aston Villa e cila ka pasur të drejtën për të transmetuar LIVE’ këtë ndeshje, dhe gëzon pamjet filmike të ndeshjes të vendosë në dispozicion pamje filmike në vënd të trillimeve pa fakte dhe të neveritshme.

Ne jemi dëshmitarë të një organizimi në standartet e kërkuara nga UEFA dhe gjatë gjithë ndeshjes si organizatorët por edhe tifozët e pranishëm në stadium kanë treguar RESPECT, FAIR-PLAY DHE GJITHEPËRFSHIRJE, vlera që vetë loja e Futbollit mbart në vetvete, vlera të cilat nuk janë respektuar në asnjë moment nga Klubi I Aston Villa, drejtuesit e të cilëve para, gjatë dhe pas ndeshjes kanë treguar mos-respekt ndaj Klubit tonë.

KF Skënderbeu beson se Futbolli është më shumë së një lojë – është një urrë e cila bashkon njerzit pavarësisht kufijëve, gjuhës dhe prejardhjes, duke na kujtuar se thelbi i kësaj loje magjike qëndron në unitet, respekt, gjithëpërfshirje dhe pasion të përbashkët.

Futbolli është një gjuhë universale që bashkon njerzit ndaj KF Skënderbeu bën thirrje faktorëve të ndeshjes të fokusohemi tek Futbolli i luajtur dhe vlerat që klubet respektive mbartin. Me respekt, KF Skënderbeu”, ka njoftuar klubi Skënderbeu./Sport Ekspres/