Skënderbeu ka marrë tre pikë shumë të vlefshme në transfertën kundër Bylisit. Një ndeshje që pritej e vështirë për korçarët, por në fund janë larguar të lumtur me tre pikë të grumbulluara. Goli i vetëm i takimit është shënuar nga ana e Rashicës. Në minutën e 81 të takimit, futbollisti i korçarëve i është shmangur bukur kundërshtarit dhe ka gjetur cepin e portës. Asnjë mundësi për portierin që të reagonte, ndërsa Bylisi mban vendin e fundit me vetëm pesë pikë. Ndërkohë, menjëherë pas ndeshjes, Nevil Dede ka komentuar për “RTSH Sport” edhe humbjen e pësuar:
“Më vjen keq sesi e shpërdorojmë ndeshjen, e dinim që kundërshtari do të bënte panik me Rashicën dhe sulmuesin qëndror. Ndikuan edhe emocionet për të bërë më tepër, kjo na solli gabimet. Por duhet të qëndrojmë me kokën lart dhe të punojmë, është më shumë gjendje psikologjike e gjitha kjo, jo gabime taktike. Unë mendoj se kjo situatë e vështirë që jemi është vetëm përjetim psikologjik, nuk mund t’ia dorëzosh topin kundërshtarit kur e ke në këmbë”, tha Nevil Dede. /Sport Ekspres/