“Të vjen keq, duhej të kishim fituar ndeshjen kundër Tiranës”! Trajneri i Skënderbeut: Kishte frikë pas golit të barazimit

Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi i kampionatit, sot është mbyllur një tjetër javë e rëndësishme e Superiores. Partizani ka marrë një fitore të madhe ndaj Egnatias në shifrat 1-0, falë golit të Kekos nga penalltia në minutën e 62. Lushkja tronditi të kuqtë në minutat e fundit, por me këtë fitore mban vendin e katërt, që të dërgon në Final Four.

As Elbasani nuk ka gabuar duke mundur 1-0 Bylisin me golin e Qoses, ndërsa me këtë fitore, janë ende në garë për vendin e katërt. Një finale mes ajo e Skënderbeut dhe Tiranës që kanë ndarë pikën e artë me njëra-tjetrën, 1-1, me golat e shënuar nga Nasr dhe Ndreca. Ndërkohë Teuta ka fituar ndaj Lacit 1-0 duke afruar kurbinasit me Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër Vllaznia ka mundur Dinamon pastër 3-0. Ndërkohë më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:

Gjoka: “Të vjen keq normalisht sepse e kishim mundësinë që ta fitonim ne këtë ndeshje. Janë shumë të vështira si përballje edhe të rënda psikologjikisht. U goditëm nga një faull që mund ta kishim evituar, u barazua ndeshja dhe më pas ishte frikë. E kuptueshme, sepse nuk lejohej një hap fals. Nuk mendoj se bëmë një performancë të keqe në pjesën e dytë”.

Moreiro: “Jam i kthjellët, kjo ndeshje u luajt mirë nga të dyja skuadrën. Kishim shanset tona për të bërë gol, ashtu sic i kishte edhe Teuta në fakt. Nuk arritëm dot që të shënonim gol si ndodh shumë herë. Ekipi bëri ndeshjen sipas asaj që ne e kishim përgatitur, buhet të besojmë ende sepse janë dy ndeshje dhe 6 pikë në pjatë”.

Ilir Daja: “Nuk ndodhi ndonjë çudi e madhe, jemi në gjysmëfinalen e Kupës. Bëm një pjesë të parë të mirë, pastaj gabuam gjithçka në të dytën. Një pjesë e mirë e lojtarëve nuk kishin ritmin. Ishte një humbje që ia shkaktuam vetes më shumë se e fitoi kundërshtari. Se mos thoni se ia lamë ndeshjen sot Vllaznisë, me Dinamon nuk ka ndodhur asgjë, thjeshtë kur të kemi kontingjentin e plot të lojtarëve do të jetë Dinamo e plot”.

Gega: “Në derbi nuk flitet për vende të fundit, pengu im i madh është që nuk kishte impenjim. Por për fat korrigjuam dhe i morëm më të mirën këtij grupi. Ajo ndeshje me Tiranën është përgjegjësi e imja, besova te performanca e asaj ndeshje me Egnatian. Loja në bllok është arma jonë, këto ditë e kam pasur të vështirë, por jo dilema. Sot kemi luajtur ndaj një ekipi me kualitet, trajneri është këtu për të marrë përsipër përgjegjësinë”.