Tejkalohen të gjitha limitet! Arabia Saudite jep një miliardë euro për Vinicius Junior, do të shkruante historinë e futbollit si transferimi më i shtrenjtë

Të dielën u njoftua se brazilianit Vinicius Junior i është ofruar mundësia të shkojë në Arabinë Saudite dhe të fitojë para që nuk mund t’i fitonte askund tjetër në botë. Siç raportoi The Athletic, përfaqësuesve të Vinicius iu afrua një delegacion nga Fondi i Investimeve Publike në një përpjekje për të bindur sulmuesin që të bëhej “imazhi i Arabisë Saudite përpara Kupës së Botës 2034, e cila do të mbahet në Arabinë Saudite”.

Lojtari ka një klauzolë kompensimi prej një miliardë eurosh dhe ka kontratë deri në vitin 2027, pasi nënshkroi një kontratë me madrilenët dy vjet më parë. Arabët janë aq të pasur sa mund të marrin në konsideratë vendimin për aktivizimin e klauzolës, por do të duhej edhe pëlqimi i vetë futbollistit, i cili do të vendosë se ku do të luajë në të ardhmen.

Arabët janë gati t’i ofrojnë kontratën më të madhe në historinë e sportit, vetëm për të qenë lojtari i gjigantit vendas Al-Ahli për pesë vitet e ardhshme. Me këto para, braziliani mund të sigurojë jetën e disa brezave. Nëse në fund ndodh transferimi i pabesueshëm nga Madridi në Arabi, Vinicius do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit, duke kaluar 222 milionë eurot që PSG i ka paguar Barcelonës për Neymar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/