Deklarata e Olti Hysenit për “Der Nordschleswiger” ka shkatuar bujë të madhe në Kosovë. Futbollisti 16-vjeçar u shpreh se ndihet më tepër danez dhe nuk e konsideron që të përfaqësojë dardanët në të ardhmen. Por nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur përgënjeshtrimi nga i ati tij përmes një deklarate të shpërndarë nga gazetari Arlind Sadiku.
Flamur Hyseni ka thënë se deklarata e djalit të tij është keqinterpretuar. Sipas tij, Olti nënkuptoi se Kosova nuk ka pasur interes për të, për këtë arsye nuk e konsideron që të luajë për dardanët. Ndërkohë, Flamur Hyseni bën me dije se djalin e tij e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme Kombëtarja e Shqipërisë. Ai ka zbuluar se Alban Bushi i ka shprehur hapur interesimin përpara tre muajsh, ndërsa shton se edhe vetë Silvinjo ka diskutuar me ta.
“Deklarata e Oltit është keqinterpretuar. Ai thotë se nuk e ka marrë në konsideratë të luajë për Kosovën sepse s’ka pasur as interesimin më të vogël nga Kombëtarja e Kosovës për asnjë grupmoshë. Madje deri sot, me këtë intervistë, që është 80% keqinterpretim i asaj çka ka thënë Olti dhe si ndjehet, pak kush nga Kosova, përveç rrethit familjar, kanë pasur njohuri për të dhe talentin e tij. Duke mos përjashtuar Shqipërinë, të cilët në vazhdimësi janë në kontakt të ngushtë dhe në përcjellje të tij.
Edhe pse u bë virale në mediat vendore me deklaratën që ndihet danez dhe që kombëtarja e Kosovës s’është nën ‘konsideratën’ e tij, e vërteta per Oltin ështe komplet ndryshe. E siguroj të gjithë opinionin shqiptar se ka keqinterpretim në deklaratën e tij dhe se e vërteta e kësaj deklarate qendron në atë se Olti asnjëherë s’është kontaktuar nga agjente të Kombëtares se Kosovës, andaj edhe ka thënë që nuk ka mundur ta konsiderojë si opsion që të luajë për Kosoven gjithë herë për këtë periudhë kohore.
Olti ka theksuar se ndihet danez vetëm për nga shkaku që është lindur, rritur dhe jeton në Danimarkë dhe që çdo gjë në përditshmërinë e tij, siç është puna, shkollimi, por edhe çdo gjë lidhet me këtë shtet. Olti as edhe një herë nuk ka thënë se nuk ka ndjenjë shqiptare dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë ata që e njohin nga afër Oltin. Madje ai shikon çdo ndeshje të kombëtares kosovare dhe asaj shqiptare. Kuptohet, kur nuk është vetë i angazhuar në lojën e futbollit në ato çaste. Olti çdo pushim vjetor e bën me familjen në Kosovë. Edhe pse mundësitë janë që t’i kalojë kudo ato pushime, çdo herë Kosova është opsioni i parë.
Të jemi të sinqertë, Shqipëria U21 e Alban Bushit para 3 muajsh e ka kontaktuar dhe ka shprehur haptas interesim për talentin 16-vjeçar. Madje edhe vetë trajneri Sylvinho është interesuar. Mirëpo jo edhe Kosova. Olti nuk i është imponuar kombëtares daneze, por puna dhe talenti i tij ka bërë që kombëtarja daneze të qepet pas tij dhe ta ftojë nëpër grupmosha, siç ka qenë ajo U16 dhe tani së fundmi në kualifikimet për Kampionatin Europian për grupmoshat U17 ku Olti ishte vendimtar në ndihmën e dhënë për Kombëtaren daneze U17 në kualifikimet për Europianin për grupmoshat U17, ku përfunduan të parët në grup.
Olti për momentin është pjesë e kombëtares U17 të Danimarkës, por kjo aspak nuk përjashton mundësinë që ai në të ardhmen të luajë edhe për vendin ku u lindën prindërit e tij. Si përfundim Olti është krenar që është shqiptar dhe është shumë krenar me Kosovën dhe historinë e saj. Olti ka shumë punë për të bërë përpara tij. Shkrimet e portaleve do të jenë veç motiv shtesë që ai të shkëlqejë në botën e futbollit, pse jo edhe për Kosovën tonë të dashur”, ka deklaruar Flamur Hyseni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/