Pas një suksesi të madh të arritur me Bologna-n, Thiago Motta kaloi te Juventusi. Një nisje e mirë e sezonit, por në ndeshjen kundër Milanit, zyrtarisht kriza kaloi nga kuqezinjtë dhe shkoi te bardhezinjtë. Në një farë mënyre mund të quhet e tillë, teksa për një moment Milani është disi më i qetë pas finales së arritur, ndërsa kritikat e mëdha kanë mbërritur te Juventusi.
Veçanërisht trajneri është kritikuar së shumti për faktin se bardhezinjtë nuk po arrijnë dot që të shënojnë gola, janë të kujdesur vetëm për pjesën mbrojtëse. Madje Motta ka hequr sulmuesin e vetëm në minutën e 65, Vlahovic dhe më pas është përmbysur. Pavarësisht formës së dobët të serbit, me Vlahovic përpara ekzistonte sadopak shpresa për t’u afruar me golin, ndërsa me heqjen e tij, Motta tregoi edhe njëherë tjetër se nuk dëshiron të shënojë, por të mbrojë rezultatin. “Nuk është i fiksuar me fitoren”, në këtë mënyrë është komentuar Thiago Motta dhe vendimet e tij kundër Milanit. /Sport Ekspres/