Duhet të jesh në momentin e duhur dhe në vendin e duhur! Zoti i dha një shans të madh, Indrit Tuci e shfrytëzoi. Në listën e tetorit asnjë ftesë për Tucin, i cili te Sparta e Pragës po qëndron shpesh në stol dhe rrallë si titullar. Por dëmtimet e shumta në sulm bën që Silvinjo të thërriste edhe Indrit Tucin.
Sikur të ishte e shkruar gjithçka për të ndodhur, edhe Mirlind Daku zhvilloi ndeshjen më të dobët ndoshta të jetës, kundër çekëve. Silvinjo nuk e kishte një tjetër zgjedhje kundër Gjeorgjisë, duhet të provohej Indrit Tuci. Në fund, rezultoi goditje e madhe. Fitorja erdhi nga pasimi i Tucit, por që bëri shumë më tepër sesa thjeshtë ai pasim.
Ndoshta Indriti nuk është Armando Broja i driblimeve dhe spektaklit, ndoshta nuk është ende Rei Manaj që në ditën e tij më të mirë merr zvarrë këdo, por është thjeshtësia që është kaq e vështirë të gjendet në futboll, është përulja që nuk e ka asnjë sulmues tjetër te Shqipëria. E sigurt është që nëse topi shkon te Indrit Tuci, ky i fundit do ta pasojë te një tjetër shok i skuadrës që është në pozicion më të mirë. E sigurt është që Indrit Tuci nuk do të kursejë asnjë energji nga vetja për të vrapuar pasi e di edhe konkurrencën mbrapa tij. Gjithashtu sulmuesi i Spartës së Pragës hapte hapësira shumë të rrezikshme dhe kishte një nuhatje me portën që ishte për t’u vlerësuar.
Sigurisht ka ende shumë punë përpara që të kërkojë vendin e titullarit edhe kur të kthehen të gjithë sulmuesit e tjerë te Shqipëria. Por kundër Cekisë, ka shumë gjasa që fitorja të vijë nga thjeshtësia e Indrit Tuci. Arsyeja? E thjeshtë, sepse me të shfrytëzoi i gjithë potenciali i lojtarëve të tjerë të Shqipërisë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/