Disa kohë më parë, pavarësisht se “lindi” në Serinë A dhe për një sezon diskutonin me Donarumën se kush ishte portieri më i mirë në elitën e Italisë, Strakosha kishte një ëndërr, kampionatin më të fortë në botë, Premier League.
Në momentin që ëndrra e tij e madhe u bë realitet, jo vetëm që nuk e shijoi, por iu kthye në një makth. Strakosha i pa të gjitha ndeshjet nga stoli dhe nuk u aktivizua kurrë te Brentford. Me kalimin e kohës dhe eksperiencës, njeriu rritet.
Më pas Strakosha kuptoi se emri i klubit nuk është e nevojshme nëse nuk të besojnë. Për këtë arsye ai bëri një tjetër transferim, që për shumëkënd shihet “i çmendur”. Nga Premier League në elitën e Greqisë, te AEK.
Nëse shumëkush lufton për të bërë lëvizjen e kundërt, Strakosha zgjodhi që të kalonte në Greqi nga Premier League pasi kërkonte besim. Në një intervistë të fundit të trajnerit të Shqipërisë U-21, Alban Bushi, për “SDNA”, Strakosha vlerësohet së tepërmi për paraqitjet e bëra në Europian me Shqipërinë.
“Strakosha do të tregojë se është një nënshkrim i mirë për AEK. Ai e njeh Greqinë dhe ndihet si në shtëpi aty. Të dy, si ai dhe babai i tij Foto, flasin mirë greqisht dhe për këtë arsye do të jetë e lehtë për Thomasin që të përshtatet me jetën e re. Në Brentford nuk i besuan, por ngelet ende një portier i madh dhe kjo u tregua në Gjermani ku nëse më pyesni mua personalisht, ishte lojtari më i mirë i Shqipërisë.
E njoh Strakoshën që të vogël, megjithëse nuk kam punuar me të. Që në momentin e parë e kuptova se është një talent i madh dhe isha i bindur se do të kishte një karrierë të madhe përpara. Është e vështirë për cdo sulmues që t’i shënoj gol Strakoshës, ka reflekse të mira dhe ndërhyn mirë. Nuk pëson dot gola të lehtë, është i shpejt dhe shumë teknik. AEK i ofroi një kontratë 5 vjecare dhe kjo tregon shumë për besimin që kanë në aftësitë e tij. Duke parë paraqitjen në Europian, faktin që vjen nga Premier League, për mua Strakosha do të ketë besim të madh dhe qetësi kur të luajë për AEK”, tha Bushi. /Sport Ekspres/