Thomas Strakosha fiton te AEK atë që kërkonte, e duartrokasin të gjithë në dhomën e zhveshjes

Në një moment të karrierës së tij, pas disa viteve të kaluara te Lacio, Strakosha kërkonte të realizonte një ëndërr fëmijërie, të kalonte në kampionatin më të fortë në botë, Premier League. Megjithatë shumë shpejt kjo ëndërr e realizuar iu kthye në një makth, thuajse asnjë minutë aktvizimi te Brentford.

Më pas Strakosha arriti të kuptojë se ajo për të cilën njeriu dhe një lojtar ka më shumë nevojë, është besimi në të. Për këtë arsye Thomas zgjodhi që të kalonte te AEK, për të rifituar besimin te vetja dhe njëkohësisht për të marrë elozhet e munguara për një kohë të gjatë. Në ndeshjen e parë zyrtare kundër Inter Escaldes, portieri shqiptar bëri një paraqitje jo të mirë, 3 gola të pësuar. Por në ndeshjen e kthimit, Strakosha e mbajti portën e paprekur dhe njëkohësisht shpëtoi ekipin e tij nga disa raste të pastra goli. Sipas mediave greke, menjëherë sapo kanë hyrë në dhomën e zhveshjes, shokët e ekipit e kanë duartrokitur Strakoshën për performancën e bërë kundër Inter Escaldes në transfertë. /Sport Ekspres/