Thumba të forta nga Martini për Dajën dhe Tetovën: E dinë se ne jemi më të mirë se ta

Vllaznia do të përballet me Dinamon në javën e ardhshme të Superiores. Para këtij takimi, gjithçka është ndezur në konferencën për shtyp. Trajneri Edi Martini ka thumbuar trajnerin Ilir Daja dhe Edlir Tetova për ankesat e tyre, sipas fjalëve të raportuara nga Shkodra Sport.

Ogur i mirë rikthimi në konferencë? Shpresoj të jetë ogur i mirë. Kam qejf të rri larg, por ka momente që duhet të jem sepse janë disa situata që nuk më pëlqejnë prej kolegëve të mi trajnera. E shoh që në çdo ndeshje, ose çdo pas ndeshje, sulmojnë egër arbitrat. Njëri thotë ti nuk duhet të arbitrosh më, tjetri thotë kamera, tjetri… Dmth është një presion që po i bëhet arbitrave në maksimum. Unë jam ndëshkuar me karton të kuq për asgjë, ndeshjen e parë të kampionatit. Shoh që këto trajnerë që bërtasin, munden të bëjnë gjithçka, nuk po dënohen, nuk po marrin karton të kuq, edhe me fjalët që thonë pas intervistave. Ka raste që duhet të kuptojnë që edhe Shkodra ka zot.

E kam fjalën për ndeshjen e fundit me Egnatian. Nuk e kuptoj, gjyqtarët e FIFA-s duhet të kenë autoritet pak më tepër. Të shash nga fillimi deri në fund, siç ishte rasti i Aleksit që shante pafund edhe arbitrat, por edhe në pushimin e ndeshjes i bënin presion arbitrave, apo edhe pas ndeshjes. Nuk më pëlqejnë, duhet të kenë më autoritet sepse pastaj agravohet situata dhe nuk është mirë për futbollin shqiptar.

Dinamo? Normal që është një sfidë shumë e vështirë. Dinamo ka një ekip të mirë, që pretendon, por e shoh që janë të trembur, si Egnatia dhe Dinamo. Mënyra si ata komunikojnë pas ndeshjeve, në intervista dhe konferenca për shtyp janë shumë të trembur sepse e dinë që ne jemi këtu dhe jemi më të mirë se ata”, tha Martini.