Tirana e Bledi Shkëmbit shkon në zonën e ftohtë! Kujtohet të luajë pas minutës së 100 në klasike, Vllaznia merr tre pikët

Tirana e Bledi Shkëmbit nuk ka një ecuri të mirë në këtë sezon, të paktën në nisjen e kampionatit. Bardheblutë janë ende në kërkim të fitores së dytë në kampionat dhe do të presin sërish, pasi Vllaznia nuk i ka lejuar që të festojnë kundër tyre.

Shkodranët kanë fituar në shifrat 3-4, por nuk kanë vuajtur sa e tregon rezultati. Goli i parë i ndeshjes u shënua nga Balaj në minutën e 9 me penallti, ndërsa 9 minuta më vonë, po i njëjti sulmues dyfishoi shifrat. Në minutën e 33, Mala mbylli historinë e ndeshjes, të paktën në pamjen e parë, duke dërguar shifrat në 0-3.

Kështu do të mbyllej pjesa e parë, ndërsa Tirana reagoi në të dytën me Bajrovic. Pas goditjes së këtij të fundit dhe devijimit të Juric në minutën e 55, kryeqytetasit ngushtuan diferencën. Por vetëm 11 minuta më vonë, Gruda shënoi edhe golin e katërt.

Një skenë e shëmtuar me tifozët e Tiranës që pasi panë lojtarët e Vllaznisë duke festuar hodhën një lëndë plasëse, duke shtrirë përtokë tre lojtarë të Vllaznisë. Dëmtime më serioze kishte Mala, ndërsa edhe Qato nuk po ndihej mirë. Ambulanca shoqëroi lojtarin e Vllaznisë dhe ndeshja u ndërpre për shumë minuta.

Për këtë arsye u akorduan 17 minuta shtesë. Tirana u kujtua të reagonte vonë teksa në minutën e 103, një penallti u akordua nga gjyqtari pas prekjes me dorë të Balajt. Bajrovic nuk gaboi, ndërsa në minutën e 107, Ndreca mbylli ndeshjen me golin e shënuar, në 3-4. Pas kësaj humbje, Tirana e Shkëmbit shkon në zonën e ftohtë, ndërsa Vllaznia kryeson kampionatin. /Sport Ekspres/