Tirana-Teuta, shifrat flasin për bregdetarët! Rikthehet mbrojtësi Jazxhi

Teuta vazhdon përgatitjet në terren për ndeshjen kundër Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të Superiores, e cila do të zhvillohet të shtunën në “Air Albania”, duke nisur nga ora 17:00.

Atmosfera në kampin e bregdetarëve është e shkëlqyer pas rezultateve të fundit, që e pozicionojnë ekipin në zonën play-off.

Teuta është ekipi i vetëm pa humbje në Abissnet Superiore pas 6 javëve të para, me 10 pikë të grumbulluara, duke mbajtur vendin e katërt në kampionat, vetëm 3 pikë larg Vllaznisë që kryeson.

Trajneri Dobi ka në dispozicion të gjithë grupin për këtë sfidë, ku kërkohet vlerësim maksimal.

Lajmi i mirë për stafin teknik është rikthimi i mbrojtësit Artan Jazxhi, i cili kishte munguar në prologun e Superiores për shkak dëmtimi. Mbrojtësi 24-vjeçar u aktivizua në miqësoren kundër Luzit dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Tiranën.

Tirana mbetet një kundërshtar i fortë, megjithatë statistikat në përballjet direket flasin në favor të bregdetarëve, me 4 fitore dhe një barazim në 5 takimet e fundit.

Interesante është se dy nga lojtarët më të mirë të Tiranës sezonin e kaluar – portieri Selmani dhe kapiteni Përgjoni – këtë sezon mbrojnë fanellën e Teutës dhe do të synojnë të marrin tri pikët ndaj ish-skuadrës së tyre. /kfteuta.al/