Anglia ka marrë sot fitoren e 4-t në grup, teksa ka mposhtur Andorrën me shifrat 2-0. Mbrëmjen e së martës “tre luanët” i pret Serbia në Beograd, më të cilën do të përballen për të parën herë në këtë fushatë kualifikuese. Tomas Tuheli ka deklaruar se pret që Serbia të luajë njësoj si Andorra në këtë sfidë. Ai parashikon se në Beograd do të gjejë një skuadër të tërhequr shumë pas në fushën e lojës.
“Pres një tjetër ndeshje me zotërim të lartë të topit në Beograd kundër një stili tërësisht të ndryshëm loje, por sërish me të njëjtin bllok të ulët dhe të thellë. Nga cilësia dhe nga mënyra se si lojtarët luajnë në Ligën Premier, pres që të kemi sërish shumë kontroll të topit. Duhet më pas të shpejtojmë ritmin dhe të përqendrohemi te detajet. Ne jemi favoritët në këtë grup. E pranojmë këtë. Kemi kualitetin për ta fituar grupin dhe këtë gjë duam të bëjmë”, ka deklaruar Tomas Tuheli./Sport Ekspres/