Armando Broja është kthyer në një çështje shumë të ndërlikuar në Angli. Një ditë më parë, trajneri i Everton, Moyes, u shpreh se sulmuesi shqiptar do të kthehet pas 12 javësh nga dëmtimi dhe se do ta dërgonte sërish Brojën te Chelsea.
Ndërkohë Sport Ekspres ka bërë një shkrim ekskluziv në ditën e djeshme, duke treguar situatën në detaje. Atje kemi folur sa i përket zmadhimit të dëmtimit të Brojës nga ana e Everton dhe Moyes, jo pa qëllim. Broja nuk do të mungojë për 10 apo 12 javë siç tha Moyes, por shumë më pak. Në shpjegimin tonë kemi treguar edhe “lojën e pisët” të bërë nga ana e Evertonit.
Për shkak se janë pranë rënies nga Premier League dhe në krizë rezultatesh, Moyes nuk e ka luksin që të pres Armando Brojën, qoftë edhe për një muaj dëmtim. Për më tepër me dëmtimet e shpeshta, Broja nuk jep garanci. Për këtë arsye Moyes dhe Evertoni vendosën që të zmadhonin situatën e dëmtimit të tij artificialisht për ta dërguar te Chelsea dhe për të hapur vendin në ekip për një tjetër lojtar dhe njëkohësisht për një tjetër huazim.
Por kjo lojë u kuptua shpejt edhe nga Chelsea që i kërkoi Evertonit të jepte kompensimin e rrogës së Brojës sipas kontratës, deri në fund të sezonit, pavarësisht se do të largohej që në janar. Sot Moyes ka dalë sërish në konferencë dhe ka treguar se gjendja e Brojës çuditërisht është përmirësuar. “Nuk thashë që Broja do të shkojë te Chelsea me 100%. Tani ne ndiejmë që Broja nuk do të mungojë për aq gjatë sa menduam në fillim, por jemi duke folur edhe me Chelsea sesi do ta përballojmë këtë situatë”, tha Moyes. /Sport Ekspres/