Interi mund të quhet që sot fituesi i Skudetos. Juventusi ishte ndjekësi më i afërt i zikaltërve, por sot ka marrë një tjetër humbje, këtë herë në shifrat 2-1 kundër Napolit. Menjëherë pas përfundimit të takimit, Allegri ka treguar edhe justifikimin me të cilin do të përgjigjet pasi Interi të fitojë zyrtarisht Skudeton.
Në fakt, e ka thënë edhe më herët se Juventusi nuk po merr rezultatet maksimale pasi ka ekip të ri në moshë. Por sot kjo deklaratë merr më tepër vlerë, pasi Allegri u shpreh i lumtur pas humbjes me Napolin, në një kohë që rrit diferencën me Interin dhe kjo tregon qartësisht se trajneri do të shprehet pas shumë kohësh se ndërtoi ekipin për edicionet e tjera.
“Sonte djemtë luajtën një lojë të mirë. Kishim mundësi të mira që nuk i shfrytëzuam. Këto janë hapa të rritjes që këta fëmijë duhet të bëjnë. Më shumë ekuilibër, mos dilni jashtë ritmit. Por ne kemi ende njëmbëdhjetë ndeshje për të luajtur për të arritur objektivin tonë.
Nuk e di nëse sonte ajo ishte Juventusi më i ri në histori, nuk e di. Gjashtë lojtarë në fushë midis 2003 dhe 2005 do të thotë se ne po punojmë mirë. Ne duhet të arrijmë objektivin me lojtarë që sigurisht do të shohim të përmirësuar vitin e ardhshëm”, tha Allegri. /Sport Ekspres/