Trajneri i Legias tha se mori informacione nga ai, reagon Zyba: Kurrë nuk do t’i bëja dëm një ekipi kosovar

Legia e  Varshavës do të luajë kundër Dritës në “play off” të Ligës së Konferencës. Trajneri i klubit polak i shpreh se Qendrim Zuba e ka ndihmuar me informacione për skuadrën nga Kosova. Por mesfushori shqiptar ka hedhur poshtë fjalët e Gonzalo Feias. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zyba ka përgënjeshtruar deklaratën e kreut të pankinës së Legias, teksa thekson se kurrë nuk do t’i bënte dëm klubeve kosovare

“Pashë në media deklaratën e trajnerit Goncalo Feio dhe perdorimin e emrit tim si referim për informacione mbi kundërshtarin e ardhshëm që Legia ka. Unë e kuptoj lojën deklarative dhe presionin qe trajneri do të vendosë mbi kundërshtarin, por më duhet të them për respekt të opinionit futbolldashës dhe të ekipit FC Drita se asnjë informacion mbi formën e lojës ose diçka tjetër nuk kam ndarë me asnjë zyrtar të klubit Legia. Kam qenë dikur lojtar i asaj skuadreje dhe ruaj respekt e konsideratë të lartë për Legian dhe gjithë anëtaret e saj, por tashmë gjithë preokupimi dhe përkushtimi im lidhet me skuadrën time të tanishme, Slovan Libereci….

Reagimin po e bej për të sqaruar pozicionin tim, sado që e kuptueshme është lufta deklarative e trajnerit të Legias, por unë kam sqaruar mbi këtë keqkuptim të qëllimshëm destabilzues edhe trajnerin e tanishëm të FC Dritës,  Zekria Ramadanin, trajner me të cilin unë kam punuar dhe kam konsideratë të jashtëzakonshme për të.

Në natyrën dhe edukatën time asnjëherë s’do pranoja që të beja dëm për skuadrat kosovare,  sado që nga koha e kaluar ato ishin kundërshtarë fushe për mua dhe ekipin tim.
E ndjeja të nevojshme ta beja këtë sqarim!
Suksesin e skuadrave ta përcaktojë fusha e blertë”, ka reaguar Qendrim Zyba./Halit Delibashi-Sport Ekspres/