Ndeshja mes Milanit dhe Parmës ka përfunduar me një skenë aspak të hijshme. Trajneri i kuqezinjve shkoi të përplasej fizikisht me Kalabrian, por ishin futbollistët e tjerë ata që shmangën një skandal më të madh në fushën e lojës. Ndërkohë, vetë Konseisao ka sqaruar këtë situatë në deklaratën e dhënë për “DAZN”-in. Ai ka thënë se në ato çaste ishte i rrëmbyer nga adrenalina, por tashmë gjërat mes tyre janë sqaruar.
“I shikoj ndeshjet me pasion dhe kisha adrenalinë. Kishte disa fjalë më shumë nga Kalabria, por lojtarët janë familje për mua. Nëse djali im sillet keq, atëherë unë ia them. Është e njëjta gjë edhe këtu. I themi gjërat si burra. Nuk ishte diçka e bukur, por ndodh në futboll, nuk jemi në kishë. Tashmë jemi sqaruar”, ka deklaruar Serxho Konseisao./Sport Ekspres/