Trajnerja e re e Kombëtares U-19 të vajzave, Daniela Kodra: Do të përgatitemi denjësisht për eliminatoret e Euro U-19, futbolli i vajzave ka bërë hapa të mëdhenj

Trajnerja e re e Kombëtares U-19 të vajzave, Daniela Kodra, ka dhënë një prononcim për fshf.org, ku ka ndarë emocionet dhe përgjegjësinë e marrjes së detyrës së re. Ajo theksoi se ndihet e lumtur dhe krenare për këtë hap të rëndësishëm në karrierë, duke falënderuar Presidentin Armand Duka dhe drejtuesit e FSHF-së për besimin e dhënë.

“Jam shumë e lumtur dhe krenare. Njëkohësisht është një përgjegjësi shumë e madhe. Gjej rastin të falënderoj Presidentin e FSHF, Armand Duka. Gjithashtu edhe drejtorin teknik, Fulvio Pea për besimin që më kanë dhënë për të drejtuar Kombëtaren U-19 të vajzave. Emocionet janë të veçanta, pasi vij nga një eksperiencë fantastike nga Kombëtarja A e vajzave dhe Kombëtarja U-15. Eksperienca te Kombëtarja A më ka ndihmuar goxha shumë, duke parë mënyrën si menaxhohet dhe organizohet një ekip kombëtar. Gjej rastin të falënderoj shumë edhe Armir Grimën, ish-trajnerin tim dhe sot koleg, për mbështetjen dhe besimin që më ka dhënë gjatë gjithë kësaj kohe”, – tha trajnerja e Kombëtares U-19 për vajza.

Më tej, Kodra theksoi rëndësinë e krijimit të një grupi harmonik për t’u përgatitur denjësisht për eliminatoret e Europianit U-19 në nëntor.

“Do të mundohemi të krijojmë një grup sa më harmonik. Një grup ku fryma e bashkëpunimit do të jetë një nga tiparet kryesore. Presim me padurim ndeshjet që kemi në nëntor, eliminatoret e Kampionatit Europian U-19 për vajza. Do mundohemi të përgatitemi në mënyrë sa më dinjitoze nga ana tekniko–taktike dhe të përfaqësojmë kombin tonë, ngjyrat kuqezi në mënyrën më të mirë të mundshme”, – tha Daniela Kodra.

Ajo vuri në dukje gjithashtu ndryshimet pozitive që ka pësuar futbolli i vajzave në Shqipëri falë investimeve të FSHF-së dhe mbështetjes nga UEFA e FIFA

“Duke qenë pjesë e futbollit të vajzave që në fillimet e saj në Shqipëri mendoj se ka pasur ndryshime shumë pozitive, duke nisur që nga infrastruktura, që nga kampionati, që normalisht sa vjen edhe bëhet më konkurrues, duke shtuar kampionatet e moshave, projektet që vijnë nga UEFA dhe FIFA për futbollin e vajzave. Mendoj që çdo vajzë që në moshë të vogël ka mundësi ta ndjekë futbollin njëjtë si djemtë. Kjo falë investimeve që janë bërë nga Federata e Futbollit”, – përfundoi Daniela Kodra.