Tre golat e Steauas përmbysin Dritën, Ballkani del fitimtar në ballafaqimin e parë me Shamrokun

Ballkani ka përmbushur me sukses objektivin e sotëm në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi ka mposhtur Shamrok Roversin me rezultatin minimal 1-0. Ndeshja u vendos në minutën e 56, kur Adetunji shënoi golin e vetëm të takimit.

Ndërkohë të njëjtin fat nuk e pati Drita. Klubi nga Gjilani është mposhtur nga Steaua e Bukureshtit në ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Ligës së Europës. Ekipi shqiptar arriti të kalonte i pari në epërsi. Tusha tundi rrjetën që në minutën e 7, ndërsa në të 50-n Manaj dyfishoi shifrat dhe bëri të krijohej ideja se Drita do të largohej me fitore nga Rumania.

Por ndeshja nisi të merrte një rrjedhë tjetër që nga minuta e 65, kur Birligea tundi rrjetën për Steauan. Graovaci barazoi rezultatin në minutën e 72-të, ndërsa në të 94-tën ishte përsëri Birligea ai që vulosi përmbysjen e sfidës. Lojtari i kampionëve të Rumanisë u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe i dha fitoren Steauas së Bukureshtit./Sport Ekspres/