Liverpuli është me njërën këmbë në fazën e 1/8-ave të Ligës së Europës. Indrit Tuci dhe Qazim Laçi kanë dëshmuar sot peshën e rëndë të të kuqve. Skuadra e Jurgen Klopit është treguar e pamëshirshme, duke shkatërruar Spartën me shifrat e thella 1-5 në Pragë.
Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 6 të saj, kur MekAlisteri shndërroi në gol një 11 metërsh. Më tej ishte Darvin Nunjezi ai që shënoi dy gola të tjerë në pjesën e parë të takimit (25’, 45’+3’). Sparta e Pragës ngushtoi diferencat në minutën e 46 të ndeshjes falë një autogoli të Bredlit, i cili në fund do të shërbente vetëm për statistikë. Kjo pasi Luis Diazi në minutën e 53-të dhe Zobozlai në të 94-tën vulosën rezultatin përfundimtar në 1-5.
Sa i përket dy lojtarëve shqiptarë, Qazim Laçi u aktivizua në minutën e 65-të të ndeshjes, ndërsa Tuci në minutën e 74-t. Mëgjithatë, në momentin kur të dy futbollistët shqiptarë shkelën në fushë, fati i ndjeshjes ishte përcaktuar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/