Turpëruan kundërshtarin me 10 gola në Botëror, lojtari i Bajernit: Nuk ndjemë keqardhje

Ndeshja e parë në Botëtorin e Klubeve i ngjasoi më tepër një takimi miqësor për Bajernin e Mynihut. Bavarezët mposhtën me rezultatin tenistik 10-0 Okland Sitin. Skuadra nga Zelanda e Re ka në përbërjen e saj lojtarë gjysmëprofesionistë, të cilët janë të punësuar në punë me kohë të plotë. Mjafton të përmendim kapitenin, që shërben si një punonjës në supermarket, apo portierin që ushtron profesionin e magazinierit.

Por pavarësisht se ishin në dijeni për nivelin e kundërshtarit, lojtarët e Bajernit nuk treguan aspak mëshirë në fushë. Autori i 2 golave për bavarezët, Mikael Olizeja, u pyet pas sfidës nga njëra prej gazetareve nëse ndjeu keqardhje për skuadrën kundërshtare. Por përgjigja e tij ishte e prerë: “Jo, jo”, e shoqëruar më pas edhe me një buzëqeshje./Sport Ekspres/