Presidenti i Steauas së Bukureshtit nuk e ka përmbajtur veten pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Xhixhi Bekali ka shpërthyer në kritika pas përfundimit të ndeshjes. Ai ka akuzuar lojtarët e tij për mungesë dëshire për të vrapuar, teksa shton se ky ishte turpi më i madh në historinë e futbollit rumun. Bekali e konsideron Shkëndijën një ekip të dorës së 3-të, duke mos e pranuar dot eliminimin nga skuadra shqiptare.
“Çfarë faji ka Harallambusi që këta djem nuk vrapojnë në fushë? Ata nuk i dëgjojnë më trajnerët! Nuk u shkon më për shtat lojtarëve të vrapojnë, nuk duan. Çfarë tjetër, kanë para, kanë blerë apartamente… Pse të vrapojnë më? Kanë disa qindra mijëra (para), kaq… Nuk e kanë më stresin e së nesërmes, të familjes.
Turp! Është një turp i madh! Uau, të mposhtesh dy herë në kupat evropiane nga një ekip i Divizionit C. Të mposhtesh një herë është aksident, por dy herë? Është turpi më i madh i futbollit rumun deri më tani!
Është turpi më i madh i futbollit rumun të të gjitha kohërave! Sepse kjo skuadër, kjo Shkendija, është shumë e dobët. Një skuadër kaq e dobët sa kjo nuk ka ekzistuar kurrë! Kam qenë në futboll për 25 vjet, por nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë!”, ka thënë Xhixhi Bekali, sipas “gsp.ro”./Sport Ekspres/