“Turqia është shumë lart në krahasim me Serie A të Italisë”! Bicaj flet për lojtarët shqiptarë: Alanyaspor e rreh Leccen dhe Pisën

Shqipëria do të luajë kundër Polonisë në fazën e Play Off të Botërorit. Një ndeshje e madhe kjo për kuqezinjtë, ku Kombëtarja do të kërkojë me çdo kusht fitoren për t’i dalë dhe për të realizuar ëndrrën. I ftuar në studion e Mega Sport që transmetohet në “A2 CNN” ishte DItmar Bicaj, trajneri i njohur, i cili shpreh siguri se Ernest Muçi nuk luan si titullar edhe me Poloninë, përtej shpërthimit të tij te Trabzonspori.

“Ai është lojtar klasi, fantastik. Kam parë që ka bërë një hap galopant edhe në lojën pa top, në pjesën e fizikut. Muci i Trabzonspori është komplet tjetër gjë nga Muçi i mëparshëm, për këtë të jeni të sigurt. Por po iu them diçka, mbajeni shënim këtë nga mua. Trajnerët janë pak të çuditshëm, nuk ndryshojnë asgjë dhe shumë rrallë nga koka e tyre. Unë e di saktë se Silvinjo nuk ka për të ndryshuar asgjë në formacion, Brojën e keni nga krahu i djathtë, të gjithë të tjerët si jemi mësuar, e vetmja dilemë në kokën e Silvinjos do të jetë Arbër Hoxha apo Myrto Uzuni nga krahu i majtë, kjo do të jetë dilema e madhe e tij pas asaj ndeshje me Serbinë. Mucit i jap 15% shans të luajë titullar kundër Polonisë”, tha Bicaj.

Gjithashtu Bicaj është ndalur edhe te niveli i futbollit në Turqi, ku ka treguar se përse ky kampionat është kaq lartë në nivel. “E para janë njerëzit, mënyra sesi turqit e duan futbollin, është e një niveli tjetër. Unë do të vecoja tre vende në botë që e duan shumë futbollin, Brazil, Argjentinë, Turqi. Pastaj ka shumë para aty. Ka marrë një bum pas vitit 2018, ka shumë yje që po shkojnë aty, stadiumet që janë mbështetur nga shteti, organizimi i ekipeve aty.

Në Ligën e Parë aty paguhen 250 mijë dollarë. Në elitë pastaj fillojnë nga 1 milionë dollarë pagesë e lartë, se kemi shumë shokët tanë që luajnë aty, sidomos në Ligën e Parë. Po të shohësh kampionatin italian me atë turk ka diferencën, Turqia është më lart, thjesht ne jemi të dashuruar me Italinë. Po të kapësh bazën stërvitore, hotelet, ekipet, organizimi, Turqia është nivel tjetër. Të krahasojmë Pisën apo Lecce me Alanyaspor, ka shumë diferencë”, tha Bicaj. /Sport Ekspres/