“U bëra keq nga deklarata e Tares”, babai i Gimenezit: Ishte e çuditshme, donin të shisnin një lojtar titullar

Deklarata e Igli Tares për Santiago Gimenezin ka shkaktuar çudi në familjen e këtij të fundit. Drejtori sportiv shqiptar u shpreh pak ditë më parë se ishte në bisedime për një shkëmbim mes sulmuesit meksikan dhe Dovbyk-ut. Këto fjalë kanë befasuar Santiagon dhe të atin e tij. Në një intervistë për “Claro Sports”, babai i Gimenezit ka treguar se nuk po arrinin ta kuptonin situatën e krijuar. Christian Gimenezi çuditet me faktin se një klub si Milani shpenzoi 40 milionë euro për sulmuesin meksikan dhe më pak muaj më pas po shqyrtonte mundësinë e largimit. Ai nënvijëzon se në këtë vendim mund të ketë ndikuar fakti se Tare dhe Allegri kanë ardhur rishtazi dhe nuk e kanë njohur mirë potencialin e Santiago Gimenezit.

“Ishte një natë e keqe. Nuk fjeta, isha gjithmonë i informuar për atë që po ndodhte dhe në komunikim të vazhdueshëm me klubin. Pasi dëgjova fjalët e drejtorit sportiv të Milanit, ishte e vështirë. Afati i transferimeve po mbyllej, kështu që duhej të isha i vetëdijshëm për atë që po ndodhte. Ishte gjithçka shumë e çuditshme. Nuk patëm kohë të kuptonim nëse ishte e vërtetë që klubi nuk do ta merrte në konsideratë për ligën. Është viti i Kupës së Botës dhe nëse Santi nuk do të kishte pasur mundësinë të luftonte për një vend titullari, do të kishte qenë e ndërlikuar. Por në fund, morëm një vendim të mirë. Nuk e di nëse e morën më pas apo nëse ishin tashmë të vetëdijshëm për këtë. Jemi të lumtur që Santi është ende te Milani.

Në një moment të caktuar, ata dyshuan në aftësitë e tij dhe në dy karakteristikat e tij, sepse si trajneri, ashtu edhe drejtori sportiv janë të rinj. Ata do ta njohin atë duke e stërvitur dhe duke punuar me të. Tare dhe Allegri folën me Santiagon. Gjithçka më dukej e çuditshme, sepse ai filloi (nga minuta e parë) dy nga tre ndeshje dhe një miqësore. Tani ka pak paqe me ekipin kombëtar, pastaj ai do të kthehet në Milano dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Mendoj se e gjithë kjo do të ndihmojë në nxjerrjen e bishës brenda tij”, ka thënë Christian Gimenezi./Sport Ekspres/