“U detyrova të bëja një lojë që nuk e duroj dot”, Daja pas fitimit të Kupës: Nuk e di si e kam shtyrë pa i thënë lojtarëve të dilnin përpara

Dinamo është fituese e Kupës së Shqipërisë. Nëndetësja blu ka mposhtur Egnatian në finale pas gjuajtjes së 11 metërshave. Ilir Daja ka folur për mikrofonin e emisionit “Super Gol” në “RTSH”, ku ka dhënë përshtypjet e tij të para pas fitimit të trofeut. Daja ka shpjeguar se gjendja e vështirë fizike e lojtarëve e ka detyruar të luajë i tërhequr pas, një strategji loje të cilën ai vetë nuk e preferon. Megjithatë ai është shprehur se është ndjerë i lumtur që i ka rikthyer pas shumë vitesh një trofe klubit ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij.

“Sigurisht që është kënaqësi, sepse Dinamoja kthehet pas shumë vitesh në marrjen e një trofeu. Ndihem mirë, sepse pjesën më të madhe të karrierës sime, edhe si futtbollist, por edhe si trajner e kam te ky klub. Ndoshta loja nuk ishte edhe aq e mirë, por një finale mbetet në histori, ndërsa një lojë e mirë harrohet shpejt. Ne vuajtëm që nga fillimi i ndeshjes, sepse shumë lojtarë të tanët, qoftë edhe Lorrani, vijnë nga dëmtimi. Është e vështirë për mua si trajner që të vij dhe të vendosem poshtë, sepse është loja që unë nuk e duroj dot fare. Për gjithë ato minuta nuk e di se si e kam shtyrë pa i thënë lojtarëve: “Dilni, sakrifikoni”.

Më vinte keq për djersën e tyre, për atë sakrificë që ata bënë. Por që në fund fare, me mundësitë që kishim, me kondicionin që kishin një pjesë e mirë e lojtarëve, nuk kishim zgjidhje tjetër përveç kësaj: të vuanim dhe të shkonim t’i rikthenim klubit të dytë më të titulluar në Shqipëri një kupë të munguar prej gati 15 vitesh. Final four? Të them të drejtën, nuk e kam pasur mendjen aty. E kam pasur mendjen te Egnatia. Sigurisht që është një ndeshje tjetër shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Ilir Daja./Sport Ekspres/