UEFA Regions’ Cup / Ndeshjet e raundit të ndërmjetëm, Shqipëria e futbollit amator synon të jetë surpriza e turneut

Kombëtarja shqiptare e futbollit amator vazhdon përgatitjet e saj për raundin e ndërmjetëm të kompeticionit UEFA “Regions’ Cup”, që do të zhvillohet nga data 14-20 gusht në Bosnje Hercegovinë, ku Shqipëria bën pjesë në Grupin 5, së bashku me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë.

Skuadra kuqezi e krijuar këtë vit nga FSHF bëri një paraqitje mjaft të mirë në raundin para-eliminator të grupit A, pasi regjistroi dy fitore (Armeni – Shqipëri 0-4, Shqipëri – Estoni 1-0) dhe u rendit e para e grupit me gjashtë pikë, duke lënë pas Armeninë e Estoninë dhe duke u kualifikuar kështu në randin e ndërmjetëm.

Shqipëria e futbollit amator do të luajë në raundin e ndërmjetëm të UEFA “Regions’ Cup” në Bosnje, në datat 14-20 gusht, ku do të ndeshet me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë. Në rast se ekipi kuqezi e mbyll këtë raund si vendi i parë në grup, do të sigurojë për herë të parë kualifikimin historik në fazën finale të UEFA “Regions’ Cup”.

Dy trajnerët e Kombëtares shqiptare të futbollit amator, Ardian Haçi dhe Igli Mumajesi kanë folur për fshf.org në lidhje me sfidat e radhës, duke folur për gjendjen e skuadrës dhe duke shpalosur njëkohësisht edhe objektivat e kuqezinjve në këtë turne.

Haçi dhe Mumajesi nuk i fshehin ambiciet për një sukses në pjesëmarrjen e parë në këtë turne ndërkombëtar dhe shprehin bindjen se kjo skuadër mund të shkojë larg, deri në fazën finale të UEFA Regions’ Cup, që do të ishte një arritje historike për futbollin amator shqiptar.

Ardian Haçi – “Kombëtarja e futbollit amator të Shqipërisë është krijuar për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar dhe nuk ka pushuar së punuari që nga ajo periudhë e deri më sot. Në muajin maj ne kaluam turin Para-eleminator që u zhvillua në Shqipëri dhe zumë vendin e parë. Tani jemi në turin e ndërmjetëm për t’u kualifikuar në finalet e Europianit që zhvillohet vitin tjetër. Aktualisht, që nga muaji maj e deri më sot, ne kemi vazhduar intensivisht përgatitjet me një plan stërvitor të detajuar, i cili ka bërë të mundur përzgjedhjen e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë event që fillon në datën 14 gusht deri më 20 gusht.

Pritshmëritë dhe e ardhmja? Duke vënë theksin tek organizimi i mirë që ka bërë federata për krijimin e kësaj Kombëtareje dhe kushtet e mira që ka krijuar për mbajtjen në fushë të saj. Mendoj se e ardhmja e saj do të jetë edhe më e mirë, pasi është rritur interesi për të luajtur në futbollin amator. Aktualisht ka një fluks të madh kërkesash për të luajtur në Sunday League, pasi në përgjithësi lojtarët janë përzgjedhur nga Sunday League. Mendoj që e ardhmja do të jetë e ndritur”, – theksoi Haçi.