Reali i Madridit do të luajë “një finale” në La Liga kundër Atletico Madrid. Një derbi që është shumë i fortë pasi edhe ekipi i Simeones ndodhet në një formë të jashtëzakonshme. Shumë polemika ka pasur nga disa ekipe të La Liga-s, përfshirë këtu edhe Simeonen, se arbitrat punojnë në favorin e madrilenëve. Megjithatë Anceloti nuk ndan të njëjtën mendim, madje thekson se janë të tjerët që nuk duan të ndryshojnë sistemin.
“Nuk doja të flisja për arbitrat para një ndeshje kaq të rëndësishme. Tebas mund të flejë i qetë, askush këtu nuk e ka humbur mendjen. Kërkuam vetëm një shpjegim për të ndryshuar një sistem që me sa kam dëgjuar unë, nuk i pëlqen askujt. Ekipet e tjera thonë se sistemi është në favor të Real Madridit. Por kur Real kërkon të ndryshojë sistemin e arbitrave, ata refuzojnë, nuk duan ta ndryshojnë.
Ky është edhe rasti i Atletiko Madridit, na akuzon për arbitrat dhe kur ne kërkojmë ndryshimin, ata refuzojnë. Kur më flisni për rrjetet sociale, unë jam shkolla e vjetër, e brezit të penës. Ndonjëherë rrjetet ndezin diskutime, debate, jo gjithmonë kanë kuptim sepse ato përbëhen nga njerëz të padukshëm, që unë nuk i njoh dhe do të preferoja që të mos i njihja. Dua të kem edhe një fytyrë përballë për atë që më kritikon”, tha Anceloti. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/