“Unë kam folur me Gjimshitin, ka pasur shumë oferta”! Salihi: Ne shqiptarët jemi mësuar me Interin dhe Milanin, por mos harroni kush është Atalanta

Berat Gjimshiti ka arritur kulmin në karrierën e tij si lojtar në mbrëmjen e djeshme, teksa me shiritin e kapitenit ka fituar trofeun e Europa League. Në një intervistë për Koha Shtesë, pak ditë më parë, Hamdi Salihi ka treguar në fakt rëndësinë që ka Atalanta dhe që në Shqipëri humbet paksa pasi jemi mësuar me skuadrat që kemi mbështetur ndër vite në Itali.

“Berat Gjimshiti? Jam krenar, është një lojtar që ka mbërritur deri këtu, në ekipet më të rëndësishme në Itali. Ne si shqiptarë na ka mbetur akoma ajo pjesa që jemi tifozë me Milan, Juventusin, Interin, në vitet e fundit Atalanta është histori suksesi për mënyrën e menaxhimit dhe rezultateve. Para pak vitesh ishte në çerekfinalen e Champions League dhe tani në Europa League. Unë kam folur me Gjimshitin, ai ka pasur shumë oferta nga shumë ekipe, por ai është te Atalanta, nuk është ekip i dorës së dytë, por i elitës, ky ekip po i jep mësim futbolli edhe Europës”, tha Salihi. /Sport Ekspres/