“Unë po jetoj ëndrrën”! Klisman Cake flet për Kombëtaren: Nesër festojmë në stadium për fitoren në Serbi

Klinsman Cake u ul sot në konferencën zyrtare përkrah trajnerit Silvinjo para ndeshjes me Jordaninë. Mbrojtësi shqiptar shprehu emocionet e tij të para si pjesë e grumbullimit me Kombëtaren, duke theksuar se kjo ka qenë një ëndërr e tij që prej fëmijërisë.

Emocionet e para si lojtar i Kombëtares – Emocionet nuk mund t’i përshkruaj, pasi dihet çfarë emocionesh të jep Kombëtarja. Ka qenë një ëndërr për mua, ashtu siç është për çdo fëmijë shqiptar, besoj. Çdo fëmijë i rritur këtu e ka ëndërr të luajë një ditë për Kombëtaren, dhe për momentin unë jam i grumbulluar, mund të them që po jetoj një ëndërr.

Si e gjetët grupin e lojtarëve? – Grupi është shumë i mirë, e kam gjetur shumë të bashkuar. Të gjithë çunat janë aty për njëri-tjetrin, shumë mikpritës, dhe dua t’i falënderoj për mikpritjen që më kanë bërë. I kam gjetur shumë mirë.

Biseda me trajnerin – Kam pasur një bisedë pasi erdha këtu. Më parë nuk kisha folur; në momentin kur më thirrën dhe nisi grumbullimi, atëherë folëm.

“Premtim” nga trajneri se do të luani nesër? – Normalisht që jo. Askush nuk ta jep atë premtim kur vjen në Kombëtare. Ne vijmë në Kombëtare të gjithë dhe jemi gati çdo sekondë – qoftë në fushë, qoftë në stol apo në tribunë, nëse do të jetë nevoja. Askush nuk premton asgjë.

E prisje një ftesë para ndeshjes me Serbinë? – Nuk e kisha menduar, por kur më erdhi, ishte surprizë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Sa për kuqezinjtë, gjithë jetën kuqezi!

Cili ka qenë reagimi i skuadrës së Shkëndijës pasi more ftesën? – Te klubi i Shkëndijës janë gëzuar shumë, duke e ditur se sa shumë e duam Kombëtaren shqiptare dhe sa patriotë janë. Janë gëzuar të gjithë – kryesia, lojtarët dhe i gjithë ekipi më kanë përgëzuar dhe më kanë uruar sa më shumë suksese. Më uruan gjithashtu të fitojmë ndeshjen me Serbinë, që ishte gjëja kryesore.

Kush të jep më shumë emocion, “kuqezi”-ja e Shkëndijës apo ajo e Kombëtares? – Te Shkëndija më japin emocion ngjyrat kuqezi, por Kombëtarja është një ndjesi tjetër – e pakrahasueshme me asnjë klub, e papërshkrueshme, që çdo fëmijë e ëndërron. Është një ëndërr e bërë realitet.

Thirrja për tifozët – Nesër i ftoj të gjithë tifozët nga e gjithë shqiptaria dhe diaspora që, ashtu siç dolën nëpër rrugë dhe botë për të festuar, t’i ftoj të vijnë nesër në stadium dhe të festojmë së bashku atë fitore të madhe që arritëm.