Universi do të punojë për ne, dëmtohet portieri i Serbisë dhe mungon ndaj Shqipërisë 

Duket se universi po punon për fitoren dhe mbrëmjen e shqiptarëve. Gjithmonë jemi mësuar që në një grumbullim të Shqipërisë të kemi lojtarë të cilët dëmtohen dhe mungojnë për ndeshjet e ekipit kombëtar. Në disa raste Broja, në të tjera Gjimshiti, më pas Mitaj, nuk ka ndodhur kurrë që Shqipëria të jetë e plot me gjithë organikën e saj. 

Por kjo do të ndodhi kundër Serbisë, teksa ndoshta për herë të parë nën drejtimin e Silvinjos, Shqipëria do të jetë me gjithë organikën e saj të plot. Asnjë dëmtim nga ana e kuqezinjëve, por në kampin kundërshtar kanë filluar problemet e para. 

Al Ittihad ka dalë me një lajm fantastik në ditën e sotme. Klubi i Mario Mitajt ka njoftuar se portieri i tyre, që është edhe portieri titullar i Serbisë, Rajkovic, është dëmtuar dhe do të shkojë në operim. Në fakt kishte kohë që Rajkovic ishte dëmtuar, në gjysmëfinalen e Kupës së Arabisë Saudite që u zhvillua në mes të majit, por pritej që dëmtimi i tij të ishte më i lehtë dhe ky lojtar u përfshi në listën e ekipit të Serbisë për të udhëtuar në Tiranë. 

Megjithatë trajneri i Serbisë duhet të bëjë pa portierin titullar në Tiranë. Kjo pasi Al Ittihad ka njoftuar se Rajkovic do të operohet të martën në Finlandë dhe kështu është konfirmuar zyrtarisht mungesa e tij kundër Shqipërisë. Një lajm i parë i mirë për kuqezinjtë pasi Rajkovic është një shtatlartë dhe do t’i hapte shumë probleme futbollistëve tanë, për t’i penguar që topi të mos hynte në rrjetë. 

Tani pritet që portieri i Strasburgut, Dorde Petrovic, të jetë zgjedhja e parë e trajnerit serb. Një tjetër portier shtatlartë, por që nuk e ka eksperiencën e Rajkovic dhe prezencën e tij pasi ky i fundit ka luajtur për shumë sezone në La Liga me Mallorca. /Sport Ekspres/