Deklaratat e pazakonta vijnë gjithmonë nga një vend si Shqipëria, që prodhon jo pak çudira për hir të së vërtetës. Një e tillë erdhi nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Ai ishte i ftuar në ABC Neës në emisionin Botërori i vogël, ku ka bërë një sulm për CAS në Lozanë, institucionin më të lartë dhe më të njohur ndërkombëtarisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sportive, i njohur nga shqiptarët për dhënien e tre pikëshit në tavolinë për ndeshjen Serbi-Shqipëri në 2014.
Kjo pasi CAS në janar të 2024 rrëzoi vendimet e paligjshme të Asamblesë së Jashtëzakonshme të thirrur nga KOKSH në 10 janar 2021, duke përfshirë këtu edhe vetë mënyrën sesi Fidel Ylli u zgjodh President.
“Është një gabim fatal që ai gjyqtar ka bërë. Duhet të kuptojmë që, të jesh gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, të Apelit apo të Lartë, duhet të kesh eksperiencë, duhet të kesh mbaruar magjistraturën, të kesh kujdes nga opinioni publik, nga ju gazetarët, nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Gjykata e Lozanës nuk ka fare gjyqtarë të tillë. Ky që ka gjykuar këtë çështje mund të jetë një biznesmen dhe Danimarka e ka çuar atë si një avokat për të gjykuar.
Shqipëria ka të drejtë të dërgojë dy gjyqtarë në Lozanë, që të gjykojnë çështjet e Danimarkës dhe shteteve të tjera. Vetëm çështjet e Shqipërisë nuk mund t’i gjykojnë. Dhe ai është i një shteti tjetër, por nuk është gjyqtar i nivelit si gjykatat tona, që janë magjistratë, që kanë Inspektoriatin e Drejtësisë, që kanë KLGJ-në, që kanë median, që kanë opinionin publik që thotë si e dhe këtë vendim”, tha Fidel Ylli.
Pra Fidel Ylli shprehet se në Lozanë janë gjyqtarët shqiptarë që mbajnë nivelin më të lartë, ndërsa të tjerët, janë biznesmenë të huaj të cilët nuk gjykojnë pastër, për sa kohë vendimet e dhëna prej andej nuk janë në favorin e Fidel Yllit. /Sport Ekspres/