Çezena u rikthye pas 6 viteve në Serinë B, ndërsa Kristjan Shpendi është fare pranë thyerjes së rekordit të bardhezinjve. Sulmuesi shqiptar deri më tani numëron 20 gola me fanellën e Çezenës për këtë sezon, vetëm dy gola më pak se Hubneri. Ky i fundit mban rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar brenda një sezoni në historinë e skuadrës italiane.
Të dy sulmuesit janë gjendur krahë për krahë njëri-tjetrit mbrëmjen e së mërkurës. Shpendi dhe Hubneri ishin pjesëmarrës në “festa e pranverës në lule” në Traversara di Banjakavolo. Një festë tradicionale që vazhdon deri ditën e dielë. Hubner nuk ndjen zili për futbollistin shqiptar, madje përkundrazi, është shprehur se lumturohet sa herë që dikush shënon me fanellën e bardhezinjve.
“Rekordet bëhen për t’u thyer. Unë jam i lumtur nëse dikush shënon një gol me fanellën e Çezenës. I ndjek gjithmonë ish-ekipet e mia. Pas C1-shit unë arrita në (Serinë) A duke u përmirësuar vit pas viti deri në moshën 35-vjeçare, kur u shpalla golashënuesi më i mirë. Kristjani është ende i ri dhe ka shumë kohë përpara për t’u përmirësuar dhe për të arritur nivele të larta”, ka thënë Hubneri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/