Ernest Muçi e nisi nga minuta e parë takimin kundër Ukrainës. Më në fund, Silvinjo i dha besimin talentit të Beshiktashit. Megjithatë Mucin e ndoqi fati i keq në dy momente, njëherë në rastin ku topi shkoi jashtë pas një magjie të bërë dhe e dyta në momentin e dëmtimit.
As vetë Muçi nuk po i besonte syve teksa kishte pritur shumë për këtë moment që të tregonte veten, por i duhej të linte fushën e blertë. Tani duam të risjellim edhe njëherë në vëmendje, një lëvizje klasi që la të shtangur në vend lojtarin e Ukrainës.
Lëvizje që shihen shpesh nga lojtarët brazilian, këtë herë është e riprodhuar nga Ernest Muçi. Nga ana tjetër duhet thënë se finalizimi nuk ishte ai i duhuri dhe këtu futemi në pjesën e punës që ka përpara futbollisti shqiptar. Kjo nuk lidhet vetëm me faktin se topi shkoi jashtë, por Muçi kishte një hapësirë të madhe përpara dhe duhej të kishte avancuar më tepër në zonën kundërshtare, ndërsa zgjodhi që të përshpejtonte dhe ky vendim i gabuar e bëri jo efikas. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/