Në mbrëmjen e sotme, Egnatia ka zhvilluar takimin e parë, në turin e parë të kualifikimeve të Champions League. Shorti ishte i lehtë për kampionët e Shqipërisë pasi i vuri në provë me kampionët e Bosnje Hercegovinës, Borac Luka. Për fat të keq, vendasit fituan në shifrat 1-0 me një gol të ardhur në minutat e fundit të shtesës.
Sigurisht që rezultati është shumë i rëndësishëm në këtë takim, pasi do të luhet edhe ndeshja e kthimit, por i fundit për t’u përmendur për shkak të gjithë problemeve dhe kaosit të ndodhur. Fillimisht duhet theksuar se arbitri ishte ndjeshëm i njëanshëm në favorin e ekipit të Bosnje Hercegovinës.
6 kartonë të verdhë dhe 2 karton të kuq për ekipin e Egnatias, gjyqtarit nuk u mundua as “të fshihej” dhe të mos kuptohej në favorizimin e tij, madje duke u siguruar që ekipi shqiptar të jetë i dëmtuar edhe në ndeshjen e kthimit pasi do t’i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm.
Zejnullai do të ndëshkohej me karton të kuq në minutën e 57, ndërsa Ndreca mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e fundit të takimit. Përveç gjithë këtyre problemeve, në stadium ishin vendosur shumë banderola ku shkruanin: “Kosova është Serbi”. Gjithashtu gjendeshin harta ku Kosova tregohej si pjesë e Serbisë.
Në minutën e 70 tifozët e ekipit boshnjak filluan të këndonin: “Kosova zemra e Serbisë”. Me një sjellje për t’u duartrokitur, lojtarët e Egnatias dolën nga fusha dhe takimi u ndërpre për 10 minuta. Me ndërhyrjen e gjyqtarit që kërkonte të çonte misionin deri në fund dhe delegatëve të UEFA-s, ndeshja rifilloi pasi situata u qetësua disi. E gjitha kjo u la disi në hije për shkak se ndeshja në fjalë u zhvillua në të njëjtin orar me gjysmëfinalen e Europianit, Angli-Hollandë. Në fund, Egnatia ka shansin e artë për të kërkuar hakmarrjen ndaj kampionëve të Bosnjes në përballjen e kthimit, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë me gjithë ndëshkimet dhe dëmet e shkaktuara nga arbitri në takimin e sotëm. /Sport Ekspres/