VIDEO/ Arbitri i përsërit penalltinë Romës tre herë, portieri i turpëron dhe i pret të gjithë 11-metërshat

Një skenë e rrallë ka ndodhur në përballjen Roma-Lille, e vlefshme për Europa League. Verdhekuqtë fituan të drejtën e një 11 metërshi në minutën e 82-të, kur rezultati ishte 0-1 në favor të francezëve. Dovbyk-u mori përsipër gjuajtjen e penalltisë, por portieri kundërshtar arriti t’ja kuptonte krahun dhe të priste topin.

Por arbitri vendosi për përsëritjen e penalltisë dhe Dovbyk-u mori sërish përsipër gjuajtjen e 11 metërshit. Megjithatë, edhe skena ishte një kopje e penalltisë së parë. Çudia nuk përfundoi këtu. Gjyqtari dha sërish urdhër për përsëritjen e penalltisë. Gasperini vendosi të ndërronte gjuajtësin e 11 metërshit. Pranë topit shkoi Soule, i cili vendosi ta dërgonte sferën në krahun e kundërt. Por edhe këtë herë portieri Ozer ia doli të priste me sukses goditjen. Një meritë e jashtëzakonshme e gardianit të Lille-s, i cili bëri që skuadra franceze të siguronte fitoren përballë Romës./Sport Ekspres/