VIDEO/ Austria bën çudinë e madhe dhe e mbyll grupin në krye, mund Hollandën dhe e lë pas bashkë me Francën

Çudia e papritur ndodh në grupin D. Pavarësisht se kundërshtarë kishte Hollandën dhe Francën, Austria e ka mbyllur fazën e grupeve në krye. Austriakët kanë mposhtur sot me shifrat 2-3 “tulipanët”. Ndeshja nisi me një autogol të Malenit në minutën e 6 të takimit, që ia bëri të vështirë lojën skuadrës së tij. Kodi Gakpo barazoi rezultatin në minutën e 47, por 12 minuta më vonë Shmidi e dërgoi sërish në epërsi Austrinë.

Hollanda reagoi përsëri në minutën e 75, kur me anë të Depait barazoi përsëri ndeshjen. Megjithatë, 5 minuta më vonë, Zabitceri i dha fitoren austriakëve. Tre pikë mjaft të vyera, që e dërguan ekipin e drejtuar nga Rangniku në vendin e parë të grupit D, duke qenë se Franca u ndal në barazim 1-1 me Poloninë. “Gjelat” e mbyllin fazën e grupeve në vendin e dytë, ndërsa holandezët në vendin e tretë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/