VIDEO/ Ballkani nuk lë vend për befasi, mposht kampionët e Maltës dhe kualifikohet në turin e tretë të Ligës së Konferencës

Ashtu siç pritej, Ballkani nuk ka lënë vend për befasi. Pas barazimit 0-0 në Kosovë, skuadra nga Theranda nuk ka bërë hapa fals në Maltë. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka mposhtur me rezultatin 0-2 Hamrunin në transfertë.

Ndeshja u vendos në pjesën e dytë të saj. Fillimisht ishte Hamidi ai i cili përfitoi nga një pasim i gabuar i portierit kundërshtar në minutën e 64-t për ta dërguar topin për herë të parë në rrjetë. Ndërkohë, në minutën e 75, ishte Karrica ai që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe vulosi shifrat përfundimtare në 0-2. Kështu, Ballkani arrin të kualifikohet për të tretin vit radhazi në turin e tretë të Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/