Shqipëria do të përballet në ditën e sotme kundër Moldavisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në orën 18:00 dhe në rast se kuqezinjtë do të marrin një pikë, do të jenë zyrtarisht pjesë e Europianit të Gjermanisë. Emisioni Koha Shtesë ka zhvilluar një intervistë me një ish-futbollist dhe tanimë tifozin më të çmendur të Shqipërisë, Ilir Selimin, i cili ndodhet në Moldavi për të parë ndeshjen e sotme të Kombëtares.
“I kam takuar tifozët e Moldavisë këtu, ata mendojnë se do të fitojnë. I thashë: “Do të fitoni të drejtën për të luajtur me ne, por pikët do t’i marrë Shqipëria”. Ia bëra të qartë se ne si Jasir Asani kemi 11 lojtarë në fushë. Është detyrë për ne që të fitojmë. Nuk pranohet as barazimi, vetëm fitore.
Unë jam profet sa i përket rezultateve. Si një ish-futbollist, them se Shqipëria do të fitojë 1-3. Golat? Mendoj se ka për të shënuar tre herë gol Jasir Asani. Si tifoz i Shqipërisë, do të zgjidhja rezultatin 0-8 për ne. Me aq sa informacione kam unë dhe nga bisedat me shokët, pritet që të jemi rreth 1000 shqiptarë sot në Moldavi, por do të jemi sa për 1 milion”, tha Selimi. /Sport Ekspres/