Futbolli nuk është një shkencë ekzakte, në futboll 1+1 nuk është gjithmonë e barabartë me dy. Sigurisht që emrat e ekipeve janë një tregues i madh për lojtarët dhe aftësitë e tyre, por ndonjëherë ka vend për përjashtime. Në Kombëtare kemi parë raste të lojtarëve që janë pjesë e kampionateve më të dobëta dhe paraqiten në mënyrë brilante dhe të tjerë që luajnë në kampionate të mëdha, por paraqiten në mënyrë skandaloze në Kombëtare.
Jasir Asani duket si rasti i Arlind Ajetit, mund të luajë në Kore, Kinë, por mjafton t’i veshësh fanellën kuqezi dhe sërish do të shpiki një çmenduri. Është bekimi i Zotit për të, e majta magjike. Me këtë të majtë Jasir Asani ka kualifikuar sot më tej Gëangju në Champions League e Azisë, duke eliminuar përfundimisht japonezët e Visel Kobe.
Këta të fundit kishin fituar në shifrat 2-0 në ndeshjen e parë, por Gëangju fitoi në po të njëjtat shifra, në ndeshjen e kthimit. Në minutën e 85, Gëangju fitoi një penallti dhe trajneri ia besoi Jasir Asanit. Me gjithë ftohtësinë që e karakterizon dhe një eksperiencë të marrë edhe me fanellën e Shqipërisë, Asani nuk ndieu asnjë presion në atë moment.
E majta e tij ishte një predhë që nuk i la asnjë shpresë të vetme portierit për të reaguar dhe që topi të mos shkonte në rrjetë. Takimi vazhdoi në kohën shtesë dhe në minutën e 118, Jasir Asani u kthye me perlat e tij të zakonshëm alla Robben. Pasi e mori topin në qendër të zonës, Asani goditi fuqimisht nga distanca duke shkundur rrjetën dhe duke tronditur portën e Visel Kobe. Një festë e çmendur pasoi te Gëangju pasi falë këtij goli, ata arritën që të shkonin në çerekfinalen e Champions League të Azisë.
Për nder të Jasir Asanit, tifozët e Gëangju kishin marrë me vete edhe një flamur të Shqipërisë, i vetmi flamur i huaj që ndodhej në stadium. Menjëherë pas përfundimit të takimit, Jasir Asani ka shkuar tek tifozët dhe e ka marrë flamurin me vete duke e hedhur në qafë. Përgëzime ka marrë lojtari shqiptar nga i gjithë stafi i Gëangju, për atë super gol të realizuar ndaj Kobes. Ndërkohë tifozët thërrisnin vazhdimisht emrin e Jasir Asanit, që tani është kthyer padyshim në një idhull për Gëangjun. /Sport Ekspres/