Kristjan Asllani ka shënuar gol për Interin në ndeshjen kundër Veronës. Për fatin e mirë, ky gol ka vlejtur sa për 3 pikë për zikaltërit, që fituan vetëm në shifrat 1-0 ndaj kundërshtarit të tyre. Por një fitore që mjafton për t’i mbajtur ata ende në lojë për titullin kampion në Serinë A, teksa tani renditen tre pikë mbrapa Napolit. Nga minuta e parë luajti dje Kristjan Asllani, që jo vetëm ndihmoi ekipin e tij për të shpresuar deri në fund te titulli kampion, por njëkohësisht i lejoi ata që të pushojnë para ndeshjes me Barcelonën.
Në një Inter dje që luajti me ekipin e dytë, Asllani dalloi mbi të gjithë dhe jo më kot u vlerësua me çmimin lojtari i ndeshjes. Një trofe që do të thotë shumë për lojtarin shqiptar që ka kaluar shumë vuajtje, shumë kritika, shpesh edhe të padrejta, ndërsa në një moment kur i besohet tregon se çfarë është i aftë që të bëj.
Jo vetëm sa i përket golit të shënuar nga penalltia, por në total, ndeshja e Asllanit ishte thjeshtë mbreslënëse. Te Interi i besuan edhe ekzekutimin e 11 metërshit pasi e dinin qartë se çfarë po kalonte mesfushori shqiptar, ndërsa vetë Kristjani kishte personalitetin dhe karakterin që qetësisht të dërgonte topin në njërin krahë dhe portierin në tjetrin.
“Një penallti që mund të ndryshojë të ardhmen”, shkruan Corriere dello Sport, ndërsa vetë Asllani theksoi se kërkon të qëndrojë te Interi. “Do të doja që të qëndroja te Interi. Unë jam një tifoz i Interit, por nuk dua të jap premtime tani. Kur erdha këtu, erdha sepse e pashë veten për shumë vite te Interi”, tha Asllani.
Megjithatë Interi ka blerë edhe kartonin e mesfushorit Susic, duke shtuar konkurrencën për Asllanin. E sigurt është se te Interi, të gjithë shokët e ekipit e duan shumë Kristjan Asllanin dhe e trajtojnë si vëlla të vogël. Kjo është parë në ato pak raste që ka shënuar shqiptari, ashtu si edhe dje. Ai është rrethuar me shumë dashuri nga shokët e ekipit, ndërsa Arnautovic, shkoi për të përqafuar dhe për t’i dhënë një puthje kur Asllani po fliste për mediat si lojtari i ndeshjes. /Sport Ekspres/