Erzeni ka marrë tre pikë mjaft të vlefshme ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejtë si Kukësi. Verilindorët arritën të gjenin të parët rrugën e rrjetës. Salami shënoi një gol mbresëlënës në minutën e 31-të të takimit, duke e dërguar skuadrën e tij në epërsi. Por në pjesën e dytë të ndeshjes Erzeni shfaqi një fytyrë tjetër nga pjesa e parë. Kahrimanoviçi ktheu baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 60 të takimit, ndërsa 4 minuta më vonë Zeka përmbysi rezultatin.
Goli i dytë i shijakasve solli edhe acarimin e tifozëve, të cilët shkaktuan ndërprerjen e takimit. Pas më shumë se 15 minutave ndërprerjeje dhe pas shoqërimit jashtë stadiumit të tifozëve ultras të të dyja skuadrave u mundësia rifillimi i ndeshjes. Megjithatë minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultatin përfundimtar. Erzeni merr kështu tre pikët në Kukës, ku zhvilloi një duel të drejtpërdrejtë për garën për mbijetesë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/