VIDEO/ Humbi penalltinë dhe rrezikoi kualifikimin, Ronaldo qau si fëmijë nga pesha e fajit

Portugalia ka siguruar kualifikimin mes vështirësive, teksa Sllovenia e mbajti rrjetën të paprekur gjatë 120 minutave të luajtura. Historia e këtij takimi mund të ishte mbyllur që në pjesën e parë të kohës shtesë, kur Ronaldo mori përsipër gjuajtjen e një penalltie të fituar nga portugezët. Por 39-vjeçari e humbi duelin e tij me Oblakun, i cili ia doli ta priste me sukses topin e goditur nga Ronaldo.

Pesha e fajit rëndoi shumë mbi supet e 5 herë fituesit të Topit të Artë, i cili nuk i mbajti dot lotët. Ronaldo nisi të qante si fëmijë, ndërsa shokët e skuadrës i shkuan të gjithë pranë për t’i dhënë kurajo. Megjithatë, ish-sulmuesi i Juventusit tregoi mentalitetin e tij fitues në momentin kur pas përfundimit të lojës u nevojit ekzekutimi i 11 metërshave. Ronaldo ishte i pari që gjuajti për portugezët dhe këtë herë topin e ndali në rrjetë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/