Interi nuk gabon më në Serinë A. Zikaltërit kanë marrë një fitore emocionuese kundër Udineses në shifrat 2-3. Goli i parë u shënua nga ana e Fratessit, që në minutën e parë të takimit. Por kjo ndeshje nuk pritej aq e lehtë dhe ashtu rezultoi. Christian Kabasele barazoi shifrat në 35 dhe më pas skena i takonte Lautaro Martinez. Fillimisht duke realizuar në minutën e 3 të shtesës pa u mbyllur ende pjesa e parë dhe më pas teksa u rikthye nga dhomat e zhveshjes, vetëm dy minuta më vonë, në të 47, shënoi edhe golin e tretë të takimit.
Udineze kërkoi të rikthehej në lojë me golin e shënuar nga Lorenzo Lucca në të 83, por ishte e pamundur. Interi merr tre pikë dhe reagon pas derbit të humbur me Milanin, teksa tani i bashkohen vendit të parë që mbahet nga Milani dhe Torino me 11 pikë të grumbulluara. Ajo që shqetëson është padyshim fakti i golave të pësuara te skuadra e Inzaghit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/