VIDEO/ Lojtari i Fenerbahçes rrëzon Murinjon në stërvitje, portugezi etiketon Kumbullën në “Instagram”

Zhoze Murinjos i ka ndodhur një episod i pakëndshëm gjatë seancës stërvitore që skuadra e tij po kryente. Njëri prej lojtarëve të Fenerbahçes rrëzoi aksidentalisht përtokë portugezin, një situatë të cilën ky i fundit e ka hasur edhe më parë. Trajneri i skuadrës nga Stambolli ka shpërndarë pamjet e këtij momenti në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, ku ka etiketuar gjithashtu edhe Marash Kumbullën dhe Felainin. Arsyeja? Një situatë e njëjtë i ka ndodhur edhe më herët me të dy lojtarët në fjalë.

“Leksion për të gjithë trajnerët: ‘Kurrë mos u vishni me të njëjtat ngjyra si lojtarët’. Ata ose ju pasojnë topin, ose ju godasin nga pas”, ka shkruar Zhoze Murinjo bashkëngjitur videos me momentin kur Ismail Jukseku kreu një ndërhyrje të gabuar ndaj tij./Sport Ekspres/